Dhimbja për humbjen e studentes nga Gjakova, Daorsa Spahija, vazhdon të jetë e gjallë tek familjarët e saj, edhe muaj pas ngjarjes tragjike që tronditi opinionin publik. Së fundmi, tezja e saj, Blerta Muhaxhiri Broqi, ka ndarë një story tepër emocional në rrjetet sociale, duke prekur thellë ndjekësit.
Në mesazhin e publikuar, ajo shpreh hapur dhimbjen dhe mungesën e madhe që ka lënë pas Daorsa, duke e përshkruar humbjen si një plagë që nuk do të shërohet kurrë.

“Po vuaj për të gjitha të nesërmet që nuk do t’i kem kurrë me ty. Do të vuaj për pjesën tjetër të jetës sime. Ky udhëtim i humbjes tënde nuk ka një destinacion. Nuk do ta ‘kaloj’ kurrë humbjen tënde”, shkruan ajo, në një rrëfim që reflekton dhimbjen e thellë të një familjeje që ende nuk e ka përballuar dot tragjedinë.
Në fund, ajo shton edhe një fjali të shkurtër, por shumë domethënëse:
“Po më mungon… e bukura ime Dak”, duke treguar lidhjen e fortë emocionale që kishin mes tyre.
Daorsa Spahija ishte një vajzë e re, e cila studionte në Tetovë. Ajo humbi jetën në mënyrë tragjike në nëntor të vitit 2025, pasi u gjet pa shenja jete poshtë një ndërtese ku jetonte.
Sipas të dhënave fillestare të autoriteteve, nuk u konstatuan menjëherë elemente të një vepre penale, ndërsa hetimet vazhduan për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Deri më tani, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe pa një version përfundimtar zyrtar. Edhe pse autoritetet kanë zhvilluar hetime për zbardhjen e rastit, nuk është dhënë ende një përgjigje e prerë mbi mënyrën se si ndodhi tragjedia.
Në të njëjtën kohë, familjarët kanë ngritur akuza të rënda për përfshirjen e mundshme të të dashurit të saj, Hevzi Sejdiu në lidhje me ngjarjen e rëndë por deri në këtë moment asnjë nga këto pretendime nuk është konfirmuar zyrtarisht nga organet e drejtësisë. Kjo mungesë e një përfundimi të qartë ka lënë hapësirë për pikëpyetje dhe reagime të shumta, ndërsa familjarët vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të së vërtetës.
Ndërkohë, postimi i fundit i tezes së saj është një tjetër dëshmi se dhimbja për një njeri të dashur nuk kalon me kohën. Ajo mbetet e pranishme në çdo kujtim, në çdo ditë dhe në çdo mungesë që nuk mbushet dot.