Nesër, në orën 18:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thirrur një protestë kombëtare. Pyetja e cila qarkullon sot në çdo studio televizive dhe në çdo tryezë qytetare është e drejtpërdrejtë: a do të kemi nesër një përmbysje? Dhe më tej, a mund të krahasohet kjo protestë me 20 shkurtin e vitit 1991? Apo besimi tek qytetarët është zbehur?
Më 20 shkurt 1991, turma rrëzoi simbolin e një regjimi , pikërisht bustin e Enver Hoxha duke vulosur fundin e një epoke dhe nisjen e një sistemi të ri pluralist. Ishte një moment historik, i lindur nga një akumulim i gjatë revolte, varfërie dhe mungese lirie.
Sot, Shqipëria është një vend pluralist, me institucione të konsoliduara, me zgjedhje periodike dhe me një opozitë që operon brenda sistemit demokratik. Protesta e nesërme nuk zhvillohet kundër një regjimi monist, por kundër një qeverie të zgjedhur. Kjo është një diferencë thelbësore.
Megjithatë, kjo nuk e bën protestën të parëndësishme. Përkundrazi. Ajo mund të jetë një test force për opozitën, një provë mobilizimi për Partia Demokratike dhe një mesazh politik për qeverinë. Numrat, mesazhet dhe qëndrueshmëria e protestës do të tregojnë nëse kemi të bëjmë me një shpërthim momental apo me një strategji të re presioni politik.
A do të ketë përmbysje ashtu sikurse predenton Z.Berisha edhe disa zëra të tjerë zhurmues ?
Në demokraci, përmbysjet nuk ndodhin në një mbrëmje, por në kutinë e votimit. Protestat mund të përshpejtojnë procese, mund të tronditin pushtete, mund të rrisin koston politike të qeverisjes , por ato rrallëherë prodhojnë ndryshim të menjëhershëm pa një krizë të thellë institucionale.
Nesër pritet të shihet nëse protesta do të mbetet simbolike apo do të shndërrohet në një lëvizje të vazhdueshme. A do të ketë thirrje për qëndresë të përhershme? A do të ketë radikalizim të aksionit politik? Apo do të jetë një demonstrim force që synon të konsolidojë bazën opozitare? Apo do të jetë kjo protestë e ditës së nesërme një “xhirro” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si të gjitha këro protesta që kemj parë deri më tani?! Kjo mbetet për t’u parë ditën e nesërme… por një gjë është e sigurt që 20 shkurti i 1991-shit është më shumë retorik sesa real. Historia nuk përsëritet në të njëjtën formë. Ajo mund të frymëzojë, por kontekstet janë të ndryshme.
Protesta e nesërme mund të jetë një moment i rëndësishëm politik. Por nëse do të jetë një pikë kthese apo thjesht një kapitull tjetër në përplasjen e gjatë mes mazhorancës dhe opozitës, këtë do ta tregojë jo vetëm mbrëmja e nesërme, por ditët që do të vijnë pas saj./Mikele Kallanxhiu