Një konflikt mes dy familjarëve ka përfunduar me të plagosur në Durrës, ku një 91-vjeçar dyshohet se ka goditur me sende të forta në kokë dhëndrin e tij 69-vjeçar.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 në fshatin Xhafzotaj. I moshuari, i identifikuar me inicialet M. S., dyshohet se ka sulmuar dhëndrin e tij, shtetasin R. J., gjatë një konflikti mes tyre.
Si pasojë e përplasjes, të dy burrat kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Policia bën me dije se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë konflikt familjar.