Zef Gjini gëzoi titullin e gjyshit, babait dhe bashkëshortit përgjatë 88 viteve të jetës së tij. Ai u nda nga kjo botë në mënyrë paqësore në shtëpinë e tij i rrethuar nga njerëzit e zemrës më 06 gusht 2024.
Zefi lindi më 1 janar 1936 në fshatin Tuç të Pukës. Ai ishte më i madhi ndër tre fëmijët e Llesh dhe Mrica Gjinit. Zefit iu desh të punonte që në moshë të hershme dhe për pasojë kreu vetëm katër klasë shkollë në atë kohë. Që në fëmijëri Gjini karakterizohej nga një energji e pashterueshme dhe dëshirë për të punuar. Që në moshë të hershme ai iu bë krah familjes, duke i ndihmuar në punët e ndryshme të fshatit.
Zefi u bekua nga një familje e madhe. Në moshën 20-vjeçare ai u njoh me Dilën, atë të cilën më pas do të bëhej shoqja e tij e jetës. Dyshja u martuan dhe dashuria e tyre solli në jetë gjashtë fëmijë, katër vajza dhe dy djem.
Zefi ka lënë gjurmë në jetën e atyre që e njohën me mirësinë dhe bujarinë e tij. Ai do të kujtohet gjithmonë nga familjarët dhe miqtë e zemrës si një zotëri i mençur, i matur dhe me peshë fjale.
Jeta nuk ka qenë e lehtë për Zef Gjinin. Gjatë jetës së tij ai nuk ka bërë punë të thjeshta. Për të siguruar të ardhurat për familjen e tij të madhe ai priste drurë në mal, të cilët më pas i shiste ose i përdorte për ngrohje dhe gatim në shtëpinë e tij. Përpos kësaj Zefi ka punuar edhe në minierat e Mirditës, ku hynte në mëngjes pa ia siguruar askush nëse do të dilte i gjallë në mbrëmje. Çdo ditë nga Puka në Mirditë, Zefi e ka ushtruar këtë punë deri në momentin që doli në pension.
Në këtë fazë të jetës, në vitet 2000 ai migroi nga Puka në Kamëz për të jetuar një jetë më të qetë dhe për të shijuar vitet e pleqërisë së bashku me bashkëshorten e tij Dilën.
Të qenit gjysh ishte një ndër dhuratat më të mëdha për Zefin, i cili u bekua gjatë jetës me 8 nipër dhe 8 mbesa. Nga nipërit ai do të mbahet mend si gjyshi i dashur dhe i përkushtuar, i cili i priste tek pragu i derës sa herë vinin. Si gjyshi që nuk përtonte kurrë t’ju tregonte histori nga jeta e tij dhe si gjyshi që i këshillonte gjithmonë me urtësi dhe mençuri.
“Do na mungojnë bisedat me të, shëtitjet pasdite. Tani do ta kem shumë të vështirë të vi tek gjyshja dhe ta shoh bosh vendin e tij”, rrëfen mes lotësh, Mira mbesa e Zefit.
Zefi gjatë jetës së tij humbi prindërit, ndërsa la pas bashkëshorten e tij Dilën, gjashtë fëmijët, Pashkën, Ëngjëllin, Lizën, Prenën, Mentorin, Violetën, 16 nipër dhe mbesa si dhe motrën dhe vëllain e tij në moshë të thyer.
Kujtimi i Zef Gjinit do të jetë i paharrueshëm për të gjithë familjarët, miqtë dhe dashamirësit e tij!