Një shqiptar 46-vjeçar i identifikuar si Arben Kristo (Christea) humbi jetën teksa po përpiqej të largohej pas një grabitjeje në zonën e Gorellos në Arezzo të Italisë.
Mediat italiane shkruajnë se ai u plagos rëndë në këmbë nga një kunj hekuri i gardhit metalik që ishte vënë për të ruajtur të mbjellat nga derrat e egër dhe sipas autoriteteve humbi jetën për shkak të hemorragjisë.
Dy grabitës të tjerë që e shoqëronin u larguan pa lënë gjurmë. Megjithatë, policia italiane është duke verifikuar veprimet e një 76-vjeçari italian i cili ka qëlluar me armë kur ka parë grabitësit të dalin nga vila e vëllait të tij, i cili ndodhej jashtë për një darkë.
I moshuari ka thënë se ka dëgjuar alarmin dhe se kur ka dalë në ballkon ka parë grabitësit që po largoheshin. Ai ka thënë se ka marrë një armë që e mbante me leje dhe ka qëlluar dy herë në ajër me qëllim që t’i trembte grabitësit.
Për momentin nuk ka akuza të ngritura ndaj tij. Fillimisht pritet të dalin analizat e autopsisë dhe një analizë balistike që do të përcaktojë afatin e saktë kohor të ngjarjes. Hetuesit po përqendrohen edhe te lëvizjet e bandës, që besohet se janë nga zona e Romës.
Arbeni thuhet se qëndronte ilegalisht në Itali dhe ka pasur disa dënime të mëparshme për krime kundër pronës. Hetimet nuk kanë identifikuar ende një adresë specifike se ku ai po qëndronte. Para incidentit, u raportuan dy raste të tjera për tentativë grabitjeje në zonë.