Një detaj i ri ka dalë në dritë lidhur me vrasjen e 44-vjeçarit shqiptar Francesk Shkambi në shtetin e Michiganit, SHBA, gjatë mbrëmjes së së dielës. Siç rezulton nga të dhënat publike, ai ishte i afërm i Elvis Shkambit, 30-vjeçarit që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Tiranë, më 6 tetor.
Francesk Shkambi ishte personi që hapi pak javë më parë një fushatë GoFundMe për të mbledhur fonde në ndihmë të Elvis dhe Gjon Shkambit, duke u prezantuar si familjar i tyre. Fushata kërkonte mbështetje financiare për “mbrojtje ligjore profesionale dhe të pavarur”, ndërsa arriti të grumbullonte mbi 8000 dollarë.
Mësohet se Francesk Shkambi ishte ndër personat që përfituan nga faljet dhe uljet e dënimeve të firmosura nga Presidenti amerikan Joe Biden pak para lënies së mandatit. Mediat amerikane raportuan se Biden nënshkroi falje ose ulje dënimesh për rreth 1500 persona, mes tyre edhe individë të dënuar për vepra lidhur me narkotikët, në kuadër të një programi për rishikimin e dënimeve të ashpra.
Dokumentet publike tregojnë se Shkambi ishte dënuar në vitin 2014 me 27 vite burg, i akuzuar për drejtimin e një grupi që kontrabandonte lëndë narkotike drejt SHBA-ve. Përfshirja e tij në listën e faljes asokohe u shoqërua me debat në disa media amerikane.
Mediat amerikane raportuan se ngjarja u regjistrua rreth orës 21:30 me orën lokale, të dielën, në verandën e restorantit Prime 7 në Commerce Township, ku Francesk Shkambi ishte menaxher dhe bashkëpronar. Ai u gjet i plagosur rëndë dhe, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore, ndërroi jetë më pas në spital.
Rreth 20 minuta pas ngjarjes, një 65-vjeçar nga Farmington Hills u paraqit vetë në polici dhe u arrestua pa rezistencë. Hetuesit sekuestruan një pistoletë 9 mm që dyshohet të jetë arma e krimit, e raportuar më herët si e vjedhur.
Autoritetet amerikane thanë se viktima dhe autori e njihnin njëri-tjetrin dhe mes tyre kishte një konflikt të vazhdueshëm, por rrethanat e plota nuk janë bërë ende publike.
Stafi dhe familjarët e 44-vjeçarit e përshkruan atë si një njeri të qetë, punëtor dhe të dashur, ndërsa lajmi i vrasjes së tij ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin ku jetonte. Restoranti ku ai punonte njoftoi mbylljen e aktivitetit për shkak të tragjedisë.