30 vjeçe dhe ende e virgjër.” Me këtë fjali të thjeshtë, këngëtarja shqiptaro-amerikane Enisa Nikaj ndezi një debat të madh në rrjetet sociale. Në një video të publikuar në TikTok për ditëlindjen e saj të 30-të, ajo shkroi se ka qenë beqare dhe e virgjër për tre dekada, por në të njëjtën kohë ka arritur shumë gjëra në jetë: ka punën e ëndrrave, një familje mbështetëse, miq të mirë, qetësi mendore dhe këtë vit do të publikojë edhe albumin e saj të parë.

Jeta e një personi nuk matet vetëm nga marrëdhëniet romantike apo përvoja seksuale, por pikërisht kjo fjali mjaftoi që rrjeti të shpërthente në komente. Disa e përgëzuan për sinqeritetin dhe e panë si një shembull force personale.
Të tjerë e panë si diçka të çuditshme për një person në moshën 30 vjeç. Debati u kthye në një dilemë të madhe: a është virgjëria në moshë të rritur një zgjedhje për t’u respektuar apo një problem për t’u shqetësuar?
Enisa nuk është një emër i panjohur. Ajo ka lindur në Brooklyn të New York-ut nga prindër shqiptarë me origjinë nga Tuzi i Malit të Zi dhe është rritur në një familje emigrantësh që u vendosën në SHBA në kërkim të një jete më të mirë. Ajo u orientua drejt muzikës dhe u bë e njohur në rrjetet sociale dhe industrinë muzikore ndërkombëtare. Me miliona ndjekës dhe një audiencë të madhe, çdo deklaratë e saj natyrisht merr jehonë.