
Mesnata e 13 gushtit të vitit 2022 ishte e fundit për vajzën keniane Joy Ayoko, e cila ndërroi jetë në rrethana misterioze në zonën e Qytet Studentit, në Tiranë. Edhe pas 3 vitesh, rasti i rëndë i 22-vjeçares ende nuk është zbardhur nga autoritetet shtetërore. Sa i përket hetimeve të ngjarjes prokuroria e Tiranës po shkon drejt pezullimit për shkak se nuk ka prova për të vërtetuar se cili është autori i vrasjes së Joy-t.
Burime për A2 CNN tregojnë se policia shqiptare e ka neglizhuar marrjen e provave nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu prej dy vitesh autoritetet keniane nuk i kanë kthyer përgjigje letër-porosive të prokurorisë shqiptare e cila kërkon skedën e vdekjes së 22-vjeçares. Por për nënën e Joy-t, kjo ngjarje nuk do të shuhet pa zbuluar se kush është fajtori i vrasjes së vajzës së saj. Në një intervistë për A2 CNN, Ruth Abongo thekson se do të kthehet në Shqipëri për të gjetur drejtësinë e munguar për të bijën, pasi sipas saj Policia e di se kush e vrau Joy-n.
“Unë e di kush e vrau fëmijën tim. Edhe policia e di. Jam shumë e zhgënjyer nga drejtësia në Shqipëri. Ishte dhimbje e madhe për mua por tani jam bërë më fortë dhe tani kam forcën për t’u përballur me frikërat e mia, përfshirë kthimin në Shqipëri në të ardhmen e afërt. Po, do të vij për ta mbyllur çështjen dhe për t’ia marrë telefonin nga gjykata. Me këshillat e duhura do të vij, por këtë herë do të sigurohem që kam vizituar personalisht zyrat në Kenia.”, u shpreh ajo për Televizionin A2.
Më datë 14 gusht rreth orës 12 të drekës, Joy u gjet në gjendje të rëndë në oborrin e një banese ngjitur me banesën në të cilën jetonte. E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia. 22-vjeçarja u largua nga Shqipëria më 25 janar 2022, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia. Joy u largua nga spitali i Traumës në gjysmë-koma, e pavetëdijshme dhe ndërroi jetë në Kenia. Se çfarë ka ndodhur mesnatën e 13 gushtit me 21- vjeçaren keniane Joy Aoko është ende e pasqaruar, madje Policia nuk e raportoi ngjarjen menjëherë, duke tentuar ta fshinte. Rasti i Joy-t u bë publik pas 3 muajsh.