Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një 20-vjeçare me shtetësi indoneziane ka lindur një foshnjë në një banesë dhe më pas e ka braktisur atë.
Policia njofton se ka identifikuar dhe proceduar penalisht të renë me iniciale A. P., 20 vjeçe, e cila dyshohet se ka lënë të porsalindurin në banesë.
Së bashku me të, janë proceduar edhe katër shtetase të tjera indoneziane – A. W. (29 vjeçe), B. L. (20 vjeçe), S. F. (28 vjeçe) dhe P. G. (19 vjeçe) – të cilat, sipas policisë, nuk kanë kallëzuar krimin, duke u bërë pjesë e hetimit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset indoneziane A. P., 20 vjeçe, A. W., 29 vjeçe, B. L., 20 vjeçe, S. F., 28 vjeçe dhe P. G., 19 vjeçe, pasi dyshohet se shtetasja A. P. ka braktisur në banesë foshnjën që ka lindur aty, ndërsa 4 shtetaset e tjera nuk kanë kallëzuar krimin,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të foshnjës.