Biznesmeni i njohur shqiptar që jeton në Belgjikë, Fisnik Syla, ka dhënë së fundmi një intervistë për Monitor TV, ku ka folur hapur për jetën e tij luksoze, bizneset, marrëdhëniet personale dhe komentet që shpesh qarkullojnë në rrjetet sociale.
Syla është shpesh në qendër të vëmendjes për jetën luksoze që shfaq në rrjetet sociale, por ai thekson se gjithçka që publikon është reale dhe e bazuar në punën e tij ndër vite.
“Çdo gjë që bëj publike është reale. Nuk kam çfarë të fsheh, sepse unë kam biznese legale në Belgjikë, ku jetoj prej 28 vitesh me familjen time,” u shpreh ai. Biznesmeni tregoi se familja e tij ka nisur nga puna në gastronomi dhe hoteleri, ndërsa sot kanë ndërtuar një rrjet lokalesh.
Sipas tij, suksesi ka ardhur pas shumë viteve pune: “Kur familja ime erdhi në Belgjikë para 28 vitesh, kemi punuar në gastronomi dhe hoteleri. Sot kemi një rrjet lokalesh dhe së fundmi kemi hapur edhe një lokal të ri.”
Ai u ndal edhe te makinat luksoze që shpesh shfaq në rrjetet sociale, duke theksuar se nuk i blen për të treguar status.
“Nuk kam blerë kurrë një makinë për të treguar statusin. I kam blerë për qejfin tim,” tha Syla.
Në intervistë ai foli edhe për marrëdhëniet me femrat, duke pranuar se në kohët e sotme është e vështirë të dallosh qëllimet e njerëzve.
“Jemi në një kohë shumë të keqe ku njerëzit afrohen më shumë për gjërat që ke sesa për njeriun që je. Por kush më njeh nga afër habitet se çfarë njeriu jam dhe ndoshta më pas afrohen për personin që jam,” u shpreh biznesmeni.
Syla tregoi gjithashtu edhe për jetën e natës dhe shpenzimet që ka bërë me miqtë e tij, duke zbuluar se shuma më e madhe që ka shpenzuar brenda një nate ka qenë shumë e lartë.
“Shuma më e madhe që kam shpenzuar në një natë ka qenë rreth 20–30 mijë euro, kur kam dalë me shoqërinë në ndonjë diskotekë,” tha ai.
Megjithatë, biznesmeni foli edhe për anën humanitare, duke theksuar se preferon të mos i bëjë publike veprat e bamirësisë.
“Bamirësitë që kam bërë nuk kam dëshirë t’i bëj publike. Ia lë vetëm Zotit, sepse kur bëhen publike nuk janë dhe aq të mira. Dua vetëm të bëj një apel: ndihmoni njerëzit sa më shumë, por mos e bëni publike, bëjeni për Zotin,” u shpreh ai.

Në intervistë nuk mungoi as pyetja për raportin me ish-bashkëshorten e tij, këngëtaren Fjolla Morina. Syla u shpreh se nuk e ka ndjekur rrugëtimin e saj në Big Brother VIP Kosova dhe se marrëdhënia e tyre kishte më shumë dimension publik sesa privat.
“Nuk kam pasur kohë ta ndjek Big Brother VIP Kosova. Nëse unë do ta doja dikë sot, do isha me atë person. Marrëdhënia jonë u bë më shumë në rrjete sociale. Çdo gjë mund të shkojë me zor në jetë, vetëm dashuria jo,” tha ai, duke lënë të kuptohet se nga ana e tij nuk ka pasur ndjenja të forta.
Ai shtoi gjithashtu se aktualisht është single, ndërsa pranoi se është penduar për kohën e shpenzuar me disa njerëz në jetën e tij.
“Jam pishman për kohën që kam shpenzuar me disa njerëz që nuk ia vlejnë,” u shpreh Syla.
I pyetur nëse do të pranonte të bëhej pjesë e Big Brother VIP Albania 6, biznesmeni nuk e përjashtoi plotësisht si mundësi, por tha se për momentin nuk e sheh veten brenda formatit.
“Jetës nuk i dihet kurrë, por për momentin nuk besoj se do të futesha,” përfundoi ai.