Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Kalitheas në Greqi, ku një vajzë 2-vjeçare me origjinë shqiptare ka rënë aksidentalisht në shatërvanin e sheshit “Kyprou” dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Sipas mediave greke, fëmija po luante pranë shatërvanit dhe, pasi i ka shpëtuar vëmendjes së prindërve, ka rënë në ujë.
Në një prononcim për mediat vendase, personi që i dha ndihmën e parë vogëlushes, një punëtor restoranti i cili gënjeu se ishte mjek vetëm që ta lejonin për të shpëtuar të voglën, ka rrëfyer momentet dramatike të ngjarjes.
Në fjalën e tij i riu thekson se kur pa një grumbull njerëz duke u bashkuar papritmas të gjithë në një vend, mendoi se ishte një cast gëzimi. Por kur u afrua iu riu u përball me të bërtitura dhe ankthin e të pranishmëve sepse një vajzë e vogël ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kështu, i riu vendosi që të merrte situatën në kontroll dhe ndërhyri duke i bërë frymëmarrjen fëmijës.
Në atë moment ai tregon se vajza dha shenja jete sepse filloi të nxirrte nga goja e saj një lëng. Mirëpo sapo prindërit e vogëlushes vunë re se dikush iu afrua fëmijës së tyre, nxituan për ta marrë atë.
Edhe pse i riu këmbënguli që të mos e lëviznin, ata e morën dhe së bashku me policinë u zhdukën nga vendngjarja.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se prindërit kishin dhënë informacion të pasaktë mbi moshën e fëmijës, duke deklaruar fillimisht se ajo ishte 5 vjeçe, ndërkohë që rezultoi vetëm 2 vjeçe. Policia greke ka arrestuar babain 25-vjeçar, ndërsa nëna 23-vjeçare po hetohet në gjendje të lirë; të dy do të paraqiten para prokurorit nën akuzën e neglizhencës në mbikëqyrjen e të miturës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Kallitheas, në Greqi, ku një vajzë 2-vjeçare ka rënë aksidentalisht në shatërvanin e sheshit “Kyprou”.