Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është shënuar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Tapizë–Fushë Krujë.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 18:45, një automjet i drejtuar nga shtetasi K. M., rreth 19 vjeç, ka aksidentuar këmbësorin N. Z., rreth 62 vjeç. Për shkak të plagëve të rënda të marra, këmbësori ka humbur jetën në vendngjarje.
Menjëherë pas ngjarjes, drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariat nga shërbimet e Policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Pamjet e dërguara në redaksinë tonë tregojnë viktimën të shtrirë në mes të rrugës, ndërsa zona është rrethuar nga shërbimet e policisë.
Sipas dëshmive nga qytetarë që ndodheshin në vendngjarje, një automjet që lëvizte me shpejtësi shumë të lartë ka përplasur këmbësorin, duke e marrë trupin e viktimës për rreth 100 metra. Dëshmitarët pretendojnë se mjeti po udhëtonte me mbi 200 km/h në momentin e aksidentit. Këto janë deklarime të qytetarëve dhe mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet.