Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës në orët e para të mëngjesit të sotëm. Leonardo Shametaj, 17-vjeç, nxënës i gjimnazit “Ali Demi”, humbi jetën pasi u përplas me motorin e tij të vogël gjatë kthimit për në shtëpi pas mesnate.
Sipas policisë, shoferi i automjetit që përplasi të riun ishte 32-vjeçar dhe ndodhej në gjendje të dehur. Pas ngjarjes, ai është arrestuar dhe mbi të rëndojnë dy vepra penale.
Gjimnazi “Ali Demi” ka ndarë mesazhin e ngushëllimit për familjen dhe komunitetin shkollor:
“I trishtë lajmi për të gjithë ne. Një aksident me pasojë vdekje preu në mes ëndrrat e një maturanti, Leonardo Shametaj, nxënës i gjimnazit ‘Ali Demi’. Ndajmë me familjen Shametaj dhe Dejvin dhimbjen e madhe për këtë humbje. Kujtimi i Leandros do të mbetet i gjallë në zemrat tona, të shokëve, mësuesve dhe të gjithë komunitetit tonë shkollor. Gëzo me engjëjt, Leandro!”
Aksidenti ndodhi rreth orës 00:10 të datës 28 tetor 2025, në bulevardin “Ismail Qemali”. Sipas burimeve zyrtare, automjeti tip “Porsche” me targë AB737UI, i drejtuar nga Haiti Bajramaj, 32 vjeç, përplasi me forcë motomjetin me targë CA305, që drejtohej nga Shametaj. Goditja rezultoi fatale. I riu, i cili punonte si kamarier dhe po kthehej në shtëpi pas turnit të mbrëmjes, u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë pak pas mbërritjes.
