Një javë pas plagosjes së rëndë me thikë gjatë një konflikti mes adoleshentësh në Durrës, 15-vjeçari Erjon Boba nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë ditën e djeshme. I mituri do të prehet sot në vendlindjen e tij në Bulqizë, ndërsa familja dhe të afërmit përballen me dhimbjen e humbjes tragjike.
Banorët e lagjes ku familja jetonte me qira, në zonën e ish-Kënetës, shprehen të tronditur nga ngjarja, duke e cilësuar atë një goditje të rëndë. Sipas tyre, institucionet duhet të marrin masa për parandalimin e rasteve të tilla, ndërsa disa theksojnë se përgjegjësia ndahet mes prindërve dhe shkollës.
Shkolla 9-vjeçare “Asllan Keta” në Fushë-Bulqizë ka vendosur lule në bankën e ish-nxënësit të tyre, Erjon Boba.

Erjon Boba kishte vijuar mësimet deri në klasën e gjashtë në këtë shkollë. Në shenjë respekti dhe zie, drejtoria, mësuesit dhe bashkëmoshatarët e tij vendosën lule në vendin ku ai ka qëndruar gjatë viteve të shkollimit.
Sipas mësuesve dhe shokëve të klasës, ai ishte një nxënës i sjellshëm dhe shumë i mirë. “Kur morëm lajmin, nuk na besohej. Ishte një fëmijë i qetë dhe i dashur,” u shprehën ata me dhimbje
Konflikti mes Erjonit dhe 14-vjeçarit me inicialet M.K. nisi pas komenteve dhe ofendimeve në rrjetet sociale, të cilat vijuan edhe në shkollë. Dy adoleshentët u takuan për t’u sqaruar, por përplasja degradoi në përdorimin e thikës, ku 14-vjeçari goditi disa herë Erjonin në gjoks.